Universiteti “Luarasi” është vazhdim i një tradite të pasur në fushën e arsimit, sinonim i shkollës shqipe, kombëtare dhe laike.
Universiteti “Luarasi” është themeluar në vitin 2003, mbështetur mbi disa parime bazë që e dallojnë atë nga shumë shkolla të tjera të larta. “Luarasi” u krijua me një pikësynim të vetëm – përgatitjen profesionale cilësore të studentëve në nivele bashkëkohore.
Kodi moral, parimet dhe synimet e themelimit në vitin 2003 janë ndjekur në vazhdimësi. Gjatë 17 viteve nga dita e themelimit ato i kanë dhënë shkollës një emër të nderuar dhe besueshmëri të plotë në opinionin publik dhe në tregun e arsimit.
Universiteti “Luarasi” e filloi veprimtarinë e vet me një fakultet të vetëm, Fakultetin e Drejtësisë. Në vitet në vazhdim, shkolla është zgjeruar me fakultete, degë dhe profile të reja, është pajisur me një ndërtesë madhështore, ka forcuar lidhjet me organet e drejtësisë, me sipërmarrje në fushën e ekonomisë dhe të financave dhe ka zgjeruar lidhjet me universitete analoge brenda dhe jashtë vendit.
Sigurimi i cilësisë ka qenë dhe mbetet prioritet për studentët dhe pedagogët e saj. Për studentët nënkupton përvetësimin e programeve, frekuentimin e vazhdueshëm të gjithë komponentëve të procesit mësimor, si leksione, seminare, praktika dhe intershipe për te marrë kreditet e nevojshme ECTS, sipas ligjit për arsimin e lartë. Për stafin akademik cilësia nënkupton një nivel të lartë të kualifikimit, tituj dhe grada shkencore dhe kontribute reale në veprimtarinë shkencore.
Cilësia është një proçes që verifikohet në mënyrë periodike nëpërmjet akreditimit nga agjenci vendase dhe të huaja. Universiteti “Luarasi” i ka të gjitha programet mësimore të akredituara. Gjatë vitit 2017 u krye me sukses akreditimi institucional nga një agjenci Britanike, e cila e vlerësoi me notën maksimale dhe e renditi ndër shkollat e larta më të mira të vendit.
Diploma “Luarasi” ka një besueshmëri të plotë, ajo është bërë një brand i njohur brenda dhe jashtë vendit. Studentët e Universitetit “Luarasi” janë pranuar për vijimin e cikleve të studimit, pa provime shtesë, në universitete prestigjioze të huaja, madje janë punësuar në vende të zhvilluara si në Itali, Zvicër, Hollandë, Norvegji, Suedi, SHBA, etj.
Prof.Dr. Aleks Luarasi
Themelues i Universitetit “Luarasi”